info@prespanationalpark.gov.al

Njoftim për shtyp: 15 Prill 2014, Shoqata për Mbrojtjen e Prespës merr edhe njëherë çmimin ‘’Më e Mira e më të Mirave’’

|Komentet Janë C'aktivizuar

img_pressRelease

Shoqëria për Mbrojtjen e Prespës merr edhe njëherë çmimin ‘’Më e Mira e më të Mirave’’
Ndarja e çmimeve për projektin më të mirë nga ana e Komisionit Europian, këtë herë u kurorëzua me fitoren e Shoqërisë për Mbrojtjen e Prespës (SPP), e cila mori për të dytën herë vlerësimin si ‘’Më e Mira e më të Mirave’’. Ky çmim erdhi natyrshëm si pasojë e zbatimit të suksesshëm të projektit ‘’Peshqit, Peshkimi dhe Politikat Europiane në Basenin e Prespës’’. Projekti në fjalë u realizua në kuadër të projekteve LIFE, të cilat kanë për synim konservimin e llojeve, habitateve dhe të proceseve natyrore duke bërë të mundur komunikimin e informacionit të nevojshëm.
Liqenet e Prespës janë të mirënjohura për praninë e lartë të shpendëve, por shumë pak të njohura për ekzistencën e peshqve të rallë, edhe pse falë kësaj të fundit janë pjesë e dymbëdhjetë ligatinave më të rëndësishme të Mesdheut. Megjithatë mbrojtja e liqeneve të Prespës ka rëndësi kyçe për konservimin e biodiversitetit dhe për zhvillimin e qëndrueshëm të rajonit të Prespës.
Ky projekt u bazua në informimin e njerëzve në lidhje me vlerat dhe kërcënimet e peshqve të rrallë të liqeneve të Prespës dhe nëpërmjet informimit u synua nxitja e qasjeve konservuese dhe rritja e pjesëmarrjes aktive të autoriteteve lokale dhe grupeve të tjera të interesit. Për ta bërë publikun më të vetëdijshëm rreth pasurive natyrore që karakterizojnë të dy liqenet e Prespës u bënë disa aktivitete për t’i komunikuar informacionin e nevojshëm. Kështu, përveç takimeve të veçanta dhe lobimeve përkatëse të promovimit të masave konkrete, u përdorën edhe kanalet e tjera të komunikimit si botimi ’’Llojet e Peshqve dhe Peshkimi i qëndrueshëm në Prespë’’, Televizioni, Radioja, ekspozitat shëtitëse në pika të caktuara të Greqisë, fletëpalosjet dhe një film dokumentar. Përdorimi i mjeteve të sipërpërmendura të komunikimit solli më pranë njerëzve mundësinë e diskutimit të çështjeve të peshkimit të qëndrueshëm dhe të mbrojtjes së popullatave të peshqve.
Vlen të theksohet se Shoqëria për Mbrojtjen e Prespës është vlerësuar edhe herë të tjera. Në vitin 2009 ka marrë po të njëjtin çmim (‘’më e mira e më të mirave’’) në nivel Europian për zbatimin e suksesshëm të projektit LIFE ‘’Dhënia e përparësisë së mbrojtjes së llojeve të shpendëve të Liqenit të Prespës së Vogël’’. Janë pesë ose katër projekte në vit të zgjedhura nga gama e të gjitha projekteve të zbatura si pjesë të programit financues LIFE të Bashkimit Europian, të cilat kanë fatin të nderohen me çmim nga ana e Komisionit Europian. Për dhënien e këtij shpërblimi gjykohet shkalla e menaxhimit dhe zbatimit të projektit duke marrë si pikënisje propozimin origjinal dhe rezultatet përkatëse.
Për të dyja këto projekte është dashur nevoja e bashkëfinancimit, të cilën Shoqëria për Mbrojtjen e Prespës e ka siguruar nga fondet private. Në një kohë kur mungesa e transparencës së disa prej organizatave jo-qeveritare (OJQ) në Greqi ka ngritur hijet e dyshimit edhe ndaj OJQ-ve të cilat funksionojnë në përputhje me ligjet në fuqi dhe në emër të shoqërisë civile, marrja e çmimeve të tilla rithekson rëndësinë e asaj që përfaqësojnë OJQ-të.
Biologia Myrsini Malakou, drejtoresha e Shoqërisë për Mbrojtjen e Prespës u shpreh në këtë mënyrë: ‘’Me marrjen e këtij çmimi ne jemi dyfish të kënaqur. Jo vetëm sepse është hera e dytë që marrim këtë lloj vlerësimi nga ana e Komisionit Europian, por edhe sepse në kushtet aktuale të një klime nënvlerësuese ndaj rolit të shoqërisë civile, ky çmim është dëshmia e një pune të palodhur, pa publicitete, e cila ka gjetur mbështetje tek shoqëria dhe që është shquar ndërkombëtarisht.
Prandaj ndihem krenare për Shoqërinë e Mbrojtjes së Prespës dhe për të gjitha ato OJQ që punojnë në mënyrë transparente dhe që operojnë në Greqi, të cilat sigurojnë kontribute të rëndësishme për shoqërinë tonë, secila në punën e vet. Gjejmë rastin të falenderojmë të gjitha institucionet lokale, duke filluar me Bashkinë e Prespës, shkollën fillore të Agios Germanos-it, inspektoriatet e peshkimit, Fondacionin për Natyrën – MAVA, i cili ka vite të tëra që mbështet punën tonë, si edhe të gjithë banorët e Prespës që ndihmuan në realizimin e këtij projekti’’.
Për më shumë informacion:
Marianna Vlassi, Kordinatore e Komunikimit, Shoqëria për Mbrojtjen e Prespës, +306947692357